


Dalin detaje të reja lidhur me ekzekutimin e ndodhur pasditen e së hënës në Elbasan, ku mbeti i vrarë 39-vjeçari Emiljano Ramazani.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Ramazani, është ekzekutuar nga dy persona.
Është kjo ajo që ka dalë nga kamerat e sigurisë, ku është parë një makinë tip “Volkswagen” e përdorur nga autorët e dyshuar.
Rezulton se njëri nga dy personat e përfshirë në atentat, ka qenë i maskuar dhe pikërisht ai ka qenë personi që ka qëlluar me armë. Bazuar në fizionominë e të dyshuar, rezulton se bëhet fjalë për një djalë nga 25 deri në 30 vjeç.
I riu ka zbritur nga makina dhe gjithë skena e krimit ka zgjatur afro dy minuta.
Pas krimit, autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Bradashesh-Paper, dhe në një ullishte i kanë vënë zjarrin makinës, për tu larguar më tej në kodrat përballë Paperit.
Dyshohet se lëvizjet e 39-vjeçarit janë mbajtur në vëzhgim, ku në momentin që po dilte për në rrugën kryesore, është ekzekutuar me armë zjarri.
Viktima Emiljano Ramazani njihej edhe me emrin “Rramani”, ndërkohë që rezulton i arrestuar dhe dënuar më parë. Kjo pasi në vitin 2012, është kapur bashkë me pesë persona të tjerë, i akuzuar për shpërndarje kokaine. Edhe në vitin 2017, ai është arrestuar sërish i kapur me kokainë në makinë, ku ndodhej bashkë me një person tjetër.
Mësohet se Ramazani kishte vetëm pak kohë që ishte liruar nga burgu, ku nga të dhënat paraprake dyshohet se ekzekutimi i tij është bërë për larje hesapesh mes bandave, në kuadër të aktivitetit kriminal. 39-vjeçari rezulton i martuar dhe baba i katër vajzave. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





