Transmetuar më 21-07-2020, 09:47

Nën akuzën se organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, procedohen penalisht 12 persona të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Gjatë zhvillimit të tubimit kundër mbylljes së lokaleve të natës dhe klubeve me muzikë, policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tij.

Më pas, policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 12 persona, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente.

Ndaj të dyshuarve materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, në ngarkim të 12 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa problematikën apo shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd