Transmetuar më 21-07-2020, 07:27

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e publikimeve, ku po prezantohen “receta” të ndryshme për trajtimin e personave me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Gjatë ditës së diel, në rrjetet sociale janë shpërndarë “receta” të ndryshme lidhur me trajtimin mjekësor në shtëpi kundër COVID-19

“Duke qenë që ‘recetat’ e tilla provokojnë edhe reagime të ndryshme dhe ngjallin edhe shqetësime, ju lusim që të mos bini pre e publikimeve të tilla dhe për çfarë do shqetësimi lidhur me COVID-19 të kontaktoni mjekun tuaj më të afërt dhe të përcillni vetëm këshillat zyrtare, të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, profesionistët kompetentë shëndetësorë dhe institucionet kredibile dhe të konfirmuara”, thuhet në reagimin e MSH-së.

Aktualisht, në botë nuk është zbuluar ende një vaksinë kundër koronavirusit të ri, ndonëse përpjekje për një gjë të tillë po bëjnë shumë shtete dhe kompani në mbarë botën.

Në Kosovë, sipas të dhënave të fundit, 5,735, janë infektuar me koronavirus. Prej tyre, 135 pacientë kanë vdekur dhe 2,968 janë shëruar.