Transmetuar më 20-07-2020, 13:47

Pas një mbledhje të zgjatur për mbi dy orë, Komisioni hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, miratoi raportin përfundimtar, ku u konstatuan shkeljet e kreut të shtetit, por jo sa për ta shkarkuar.

Ky votim u bë me gjashtë vota pro dhe asnjë kundër, ndërkohë që më tej pritet të dërgohet në Parlament për votim.

Kryetari i komisionit Ulsi Manja, deklaroi se ky është i pari komision që miraton një produkt përfundimtar që respekton ligjin për komisionet hetimore.

Sipas tij, produkti i votuar ka jo vetëm konkluzionet e hetimet dhe provat, por ka dhe propozime konkrete për zgjidhjen e çështjes.

“Po aq e vërtetë është fakti që masa e kësaj shkelje në fakt e tejkalon tagrin e kompetencat e këtij komisioni hetimor sa kohë s’kemi një praktike e standard të elaboruar të gjykatës Kushtetuese se kush do konsiderohet shkelje e rëndë që do e çoj Kuvendin në procedurë votimi për shkarkimin. Ky komision ka shtruar rrugën për seancën plenare që kurrsesi nuk kushtëzohet nga gjetjet tona si komison hetimor, do japë jo vetëm një vlerësim mbi provat dhe vlerësim politik. Për të gjitha këto arsye, se do kemi një seancë plenare të posaçme, ku garantohet koha e debatit, do kemi mundësi të shtjellojmë në mënyrë më të detajuar qëndrimet tona”, u shpreh Manja.

Komisioni për shkarkimin e Presidentit Meta u ngrit për shkeljet e pretenduara të Presidentit për anulimin me dekret të zgjedhjeve të 8 qershorit 2019 dhe afati i tij përfundon në 30 korrik. /a.y/noa.al

Komisioni hetimor për Metën, Fino: Ti kërkojmë falje, mbase e kemi bezdisur! Hyseni: Faj kushtetues

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd