Transmetuar më 17-07-2020, 19:12

Socialisti Damian Gjiknuri, deklaroi sot se mbledhja e Këshillit Politik për ndryshimet kushtetuese mund të mbahet në 20 ose 21 korrik.

Gjiknuri tha se mbledhja do të bëhet duke riaktivizuar Këshillin Politik ku Basha, Rama dhe Kryemadhi dërguan përfaqësues të tyre.

Gjiknuri njoftoi se në takim do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama duke nënkuptuar se mbledhja do të jetë e nivelit të lartë e për pasojë duhet të marrin pjesë liderët e partive kryesore të opozitës Basha dhe Kryemadhi.

“Duke ndjekur deklarimet e opozitës jashtëparlamentare në lidhje me procesin e shqyrtimit nga Kuvendi të propozimit të deputetëve të opozitës parlamentare, për ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin për të ballafaquar pikëpamjet tona përmes dialogut konstruktiv, ju propozoj mbledhjen ditën e hënë apo të martë (përkatësisht në 20 ose 21 Korrik, sipas disponimit tuaj), ora 11:00, të një tryeze të Këshillit Politik me temë diskutimi ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Duke ju informuar se në këtë mbledhje Partia Socialiste do të përfaqësohet përveçse nga unë edhe nga kryetari Rama, ju bëj me dije se në rast dëshire edhe prezenca e kryetarëve përkatës të opozitës jashtëparlamentare, do të ishte plotësisht e mirëpritur nga ana jonë”, shprehet Gjiknuri.

Sakaq nuk dihet nëse z.Meta do ti përgjigjet Ramës për ftesën që edhe Presidenti të marrë pjesë në Këshillin Politik, por duket qartë se ftesa e Ramës ishte më shumë një dozë akuzash se kryetari i shtetit është bërë zgjatim i opozitës. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd