Transmetuar më 15-07-2020, 19:50

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është pyetur edhe sot në Hagë, në të tretën intervistë përpara Prokurorit Special.

Edhe këtë të mërkurë seanca e marrjes në pyetje ka zgjatur gjashtë orë, në përfundim të së cilës Thaçi nuk ka preferuar të flasë për mediat.

Intervistimi i Thaçit do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, në 16 korrik.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se më 24 prill ka bërë një propozim-aktakuzë për krime të supozuara lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i Presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën. /k.k/noa.al/