Transmetuar më 14-07-2020, 18:29

Kryeministri Edi Rama u përpoq sot të mbrojë lëvizjen e tij të papritur për të ndaluar koalicionet parazgjedhore përmes ndryshimesh kushtetuese, duke iu kundërvënë Presidentit dhe opozitës, të cilët më herët sot paralajmëruan se nuk duhet të ketë devijim nga marrëveshja e 5 qershorit që u firmos në prani të ndërkombëtarëve.

Megjithatë z.Rama njoftoi se ai është tërhequr nga nisma për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore: "As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan, s’e duan është vendimmarrësi!".

Tërheqja e z.Rama vjen pak orë pasi z.Meta e paralajmëroi se nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë nisma të tilla.

Në vijim të deklaratës së tij, z.Rama paralajmëron opozitën se mund të bëjë një tjetër tërheqje, atë nga marrëveshja e qershorit.

"Shoh axhitim në radhët e opozitēs jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë", ishte paralajmërimi i Ramës duke lënë të kuptohet se mund të tërhiqet nga marrëveshja.

"Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit", vijon Rama deklaratën e tij, duke mos komentuar gjithsesi faktin e vënë në dukje nga Meta se Parlamenti ka vetëm 82 deputetë legjitimë. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd