Transmetuar më 14-07-2020, 18:22

Kryeministri Rama u është përgjigjur reagimeve të opozitës jashtë Parlamentit dhe Presidentit Meta për listat e hapura, dhe për herë të parë deklaron se nuk do të ndalohen koalicionet parazgjedhore.

“As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s’e duan është vendimmarrësi”, shkruan Rama në Tuiter.

Kreu i Qeverisë, edhe pse thotë se marrëveshja e 5 qershorit do të zbatohet pikë për pikë, kujdeset të shprehet se sharjet dhe provokimet e rrezikojnë atë.

“Shoh agjitim në radhët e opozitēs jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë”, shkruan Rama në Tuiter.

Kryeministri i është përgjigjur edhe qëndrimit të Presidentit Meta, që më herët tha se në Parlament janë vetëm 82 deputetë legjitimë.

“Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit”, vijon Rama.

Në 23 qershor, mazhoranca ka deklaruar se do të çojë për votim në Parlament marrëveshjen, por po ashtu ka pranuar edhe listat e hapura, kërkesë e opozitës në Parlament. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd