
Prisnim lajme të mira, ndonëse situata e fundit me treguesit e koronavirusit nuk jepte shpresë.
Vendimi është i tillë: qytetarët shqiptarë nuk do të mund të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian edhe për të paktën 15 ditë të tjera.
Shqipëria mbetet sërish jashtë listës së vendeve të treta, me të cilat Bashkimi Europian rihap kufinjtë e jashtëm.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja Hercegovina nuk përmbushin ende kriterin kryesor të menaxhimit të pandemisë COVID-19, që ka të bëjë me numrin e infektimeve për çdo 100.000 banorë.
Më 1 korrik nuk u ndez drita jeshile për këtë arsye dhe i njëjti vendim është marrë edhe për 15 ditëshin e dytë të korrikut.
Që Shqipërisë t’i hapen kufijtë, numri i të infektuarve duhet t’i korrespondojë nivelit mesatar europian, që është 16 raste infektimi për 100 mijë banorë.
Ky është informacioni i fundit që vjen në vijim të takimit të grupit të punës Këshillit të Bashkimit Europian mbi rishikimin çdo 15 ditë të listës së vendeve të treta për rihapjen e kufinjve të jashtëm të Bashkimit Europian.
Kjo listë ka të bëjë konkretisht me heqjen e kufizimeve për udhëtimet jo-esenciale drejt Bashkimit Europian të vendosura pêr shkak tê rrezikut të përhapjes së COVID-19.
Listës së mëparshme të 14 vendeve të treta, qytetarët e të cilëve kanë të drejtë të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian i janë shtuar Australia dhe Kina.
Vendimi pritet të zyrtarizohet në 15 korrik, çka do t’i lërë në pritje shqiptarët edhe për dy javë të tjerë, me shpresë se treguesit e Covid-19 do të jenë në favorin e tyre.
/NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





