Transmetuar më 11-07-2020, 16:03

Në qershor të vitit 2020, Ministria e Financave ka vendosur në lista për të paguar detyrimin prej 109 milionë euro për biznesmenin Francesco Becchetti, i cili pas hapjes së një televizioni në vendin tonë, por që iu mbyll, ka fituar në arbitrazh gjyqin ndaj shtetit shqiptar.

Edhe pse nuk ka patur një reagim zyrtar të qeverisë në lidhje me këtë gjyq, në dokumentin e ministrisë së financave për raportin e mesvitit për zbatimin e buxhetit, të vitit 2020 pasqyrohet se gati 91 përqind e detyrimeve që kanë institucionet shqiptare për shkak të gjyqeve të humbura në arbitrazh e zë detyrimi ndaj kompanisë "Hydro srl", me  plot 100 milionë euro.

Ky është dokumenti i Ministrisë së Financave, siguruar nga TCH, ku pasqyrohet ky detyrim që rrjedh nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit për gjyqin Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë.

Gjyqet me biznesmenin Francesco Becchetti nisën disa kohë më parë duke u mbyllur me një humbje të rëndë për shtetin shqiptar.

Biznesmeni italian ishte angazhuar prej shumë vitesh në një projekt për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivacit.

Një seri përplasjes me shtetin shqiptar çuan në ndalimin e projektit dhe zgjidhjen e kësaj situate në gjykatat ndërkombëtare.

Kujtojmë se gjatë muajit të kaluar qeveria iu drejtua për herë të tretë tregjeve ndërkombëtare, për të siguruar një borxh që shkoi mbi 600 milion euro. Veç rigjenerimit të ekonomisë, pjesa më e madhe e këtij borxhi është planifikuar të shkojë për përballimin e situatave të krijuara nga tërmeti dhe Covid-19, sikurse edhe për shlyerjen e borxheve dhe detyrimeve të kaluara, apo të paparashikuara.

/NOA.al