U deklarua i zhdukur nga familja, kryebashkiaku gjendet i vdekur në një pyll
Transmetuar më 09-07-2020, 21:31

Kryebashkiaku u pa për herë të fundit rreth orës 10:40 të së enjtes, kur ai u largua nga rezidenca zyrtare. Bashkia e qytetit madje njoftoi anulimin e një ngjarje të planifikuar për ditën e enjte, në të cilën pritej të merrte pjesë.

Kryetari i Bashkisë së Seulit, Park Ëon-soon, u gjet i vdekur nga policia mëngjesin e së premtes me orën lokale të Koresë së Jugut, disa orë pasi u shpall i zhdukur nga familja e tij.

Agjencia e lajmeve Yonhap bëri me dije se trupi i 64 vjeçarit u gjet në malin Bugak, në veri të kryeqytetit të Koresë së Jugut, afër vendit ku sinjali i tij i telefonit u zbulua për herë të fundit para se të fiket.

Kërkimet e policisë, të cilat zgjatën rreth shtatë orë dhe përdorën drone dhe qen, u përqendruan në këtë vendndodhje. Shkaku i vdekjes nuk u bë i ditur.

Sipas Yonhap, vajza e kryebashkiakut raportoi për zhdukjen e babait të saj rreth orës 5 të së enjtes, duke thënë se telefoni i tij ishte fikur dhe se ai kishte lënë një mesazh që tingëllonte si një “testament” .

Arsyet e zhdukjes nuk ishin të qarta. Shtypi lokal spekulon se ekziston një lidhje me akuzat e ngacmimit seksual që peshojnë ndaj tij. Një ish-sekretare e kryetarit të bashkisë raportohet të ketë paraqitur një ankesë kundër tij kohët e fundit dhe i dëshmoi policisë të mërkurën.

Park ishte një figurë e rëndësishme në skenën politike në Korenë e Jugut dhe luajti një rol të madh në përgjigjen e pandemisë së koronavirusit në Seul.

I zgjedhur për herë të parë në vitin 2011 si një kandidat i pavarur, dhe i rizgjedhur dy herë nga Partia Liberal Demokratike e Presidentit Moon Jae-in, ai shërbeu mandatin e tij të tretë radhazi si kryetar i bashkisë së metropolit me 10 milion banorë. Ai ende konsiderohej një kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale të Koresë së Jugut të vitit 2022.

Para se të merrte në dorë bashkinë e kryeqytetit, Park punoi si avokat i të drejtave të njeriut dhe, për vite me radhë, punoi në mënyrë aktive në një organizatë për të drejtat civile.

/NOA.al

Loading...