Transmetuar më 09-07-2020, 14:59

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur ditën e sotme, që të shtyjë për në muajin nëntor, seancën e radhës në ngarkim të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Kjo shtyrje është bërë pasi i kërkohen Prokurorisë verifikime shtesë lidhur me dosjen, sa i takon transaksioneve bankare të kryera prej Llallës.

Gjithçka lidhur me për shitjen e  disa pronave të paluajtshme si dhe pagesën e bërë nga një person, për ardhjen në jetë të fëmijës së tij, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Adriatik Llalla është marrë i pandehur dhe i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë.

Llalla i shpëtoi procesit të vettingut, pasi paraqiti dorëheqjen nga sistemi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPK-ja pranoi kërkesën e Llallës duke e nxjerrë nga sistemi dhe duke mos e kaluar në vetting. Komisioneri Publik ankimoi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendimin e KPK-së.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pasi shqyrtoi kërkesën e Komisionerit Publik, vendosi të linte në fuqi vendimin e KPK-së duke e lënë Llallën jashtë sistemit dhe pa kaluar në vetting.

Pas largimit të Llallës nga posti i kryeprokurorit, Departamenti Amerikan i Shtetit ndaloi publikisht hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se “ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni”. /a.y/noa.al