Transmetuar më 09-07-2020, 00:53

Dy futbollistë të Partizanit, Deian Boldor dhe Besnik Feratin, rezultuan pozitiv me koronavirus dhe janë vetëkarantinuar. Lajmi u bë i ditur në Facebook nga vetë klubi nëpërmjet një statusi.

“FK Partizani njofton se dy prej pjestarëve të ekipit Deian Boldor dhe Besnik Ferati, kanë rezultuar sot pozitiv me Covid-19. Lojtarët ditët e fundit kanë shfaqur simptomat e para dhe menjëherë i janë nënshtruar testimit të tamponit nga ku kanë rezultuar pozitiv” bëhet e ditur në njoftim. Po sipas tij, testimit të tamponit i është nënshtruar edhe lojtari tjetër Amir Bilali, i cili ka rezultuar negativ.

“Boldor dhe Ferati fatmirësisht gëzojnë gjendje shëndetësore të mirë dhe janë vetëkarantinuar në banesat e tyre” njofton Partizani”.

“Ndërkohë asnjë lojtar dhe pjesëtar tjetër i ekipit nuk kanë shfaqur simptoma. Klubi ka marr të gjitha masat dhe ka zbatuar me rigorozitet protokollin shëndetësor të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ISHP (Insituti Shëndetit Publik) dhe do të vijojë ti përmbahet udhëzimeve për pjesën tjetër të skuadrës dhe stafit” përfundon njoftimi.

Pas mesnatës që hyri e enjtja, Partizani doli me një njoftim të dytë: "FK Partizani njofton se gjithë ekipi ka kryer testet për COVID-19. Në zbatim të udhëzimeve të protokollit shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë dhe mbrojtjes Sociale, si dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, të gjithë lojtarët dhe stafi ju nënshtruan tamponëve sonte në mbrëmje, mbasi dy prej pjestarëve të skuadrës Deian Boldor dhe Besnik Ferati rezultuan pozitiv me COVID-19. Testimi për të gjithë skuadrën është kryer për efekt të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, në prag të takimit ndaj Tiranës në program ditën e premte."

Lajmi vjen dy ditë para derbit Partizani – Tirana, i vlefshëm për javën e 33-të të Kampionatit të Kategorisë Superiore, i cili po zgjatet për shkak të epidemisë së koronavirusit. Tashmë mbetet të mësohet fati i takimit mes tyre.