Aktakuza për krime lufte, Presidenti Thaçi paraqitet të hënën në Hagë
Transmetuar më 08-07-2020, 19:00

Të hënën, në 13 korrik, Presidenti i Kosovës do të udhëtojë drejt Hagës ku do të intervistohet nga Prokurori Special mbi aktakuzën për krime lufte.

Lajmin e ka dhënë vetë Hashim Thaçi përmes rrjeteve sociale, ku  ka përcjellë edhe disa mesazhe.

“Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore. Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit. Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar”, ka shkruar Thaçi.

Ndër të tjera ai kërkon unitet për të përballuar sfidat që ka sot vendi.

“Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan më tej kreu i shtetit.

Kujtojmë që mbi të dhe Kadri Veselin ka një aktakuzë për vrasjen e rreth 100 personave në kohën e luftës.

Në një dalje për mediat pak ditë më parë, Thaçi u shpreh se nëse kjo aktakuzë do të konfirmohet, atëherë ai do të përballet me drejtësinë si qytetar i thjeshtë, dhe jo si President i shtetit të Kosovës. /k.k/noa.al/

Loading...