Transmetuar më 08-07-2020, 08:24

Në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, u arrestuan tre persona në Korçë, të cilët po transportonin 6 emigrantë të paligjshëm.

Nga hetimet e kryera u godit rasti i aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit.

Si rezultat i operacionit u bë arrestimi i K. N., 27 vjeç, banues në Gjadër, Lezhë, i dënuar më parë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, G. Gj., 27 vjeç, banues në Rilë, Lezhë dhe R. M., 30 vjeç, banues në Lezhë i dënuar më parë për “Vjedhja”.

Të dyshuarit, janë kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Hudënisht, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në drejtim të Tiranës, me tre automjete, gjashtë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 900 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu gjatë kontrollit të dokumentacionit të këtyre shtetasve, rezultoi se 27-vjeçari K. N., drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe me kontratë qiraje të mjetit të dyshuar si të falsifikuar, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. /a.y/noa.al

Tre persona kapen nga “Perimetri”, duke transportuar 6 klandestinëLAJMI: https://noa.al/lajmi/2020/07/2173676.html

Publiée par Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA sur Mardi 7 juillet 2020