Transmetuar më 07-07-2020, 12:10

Një operacion policor i koduar “Transferta” ka vënë në pranga 9 persona, të cilët mashtronin nëpërmjet rrjetit social Facebook, duke përfituar para.

Të arrestuarit kanë përfituar rreth 38 mijë euro nga mashtrimet nëpërmjet adresave në rrjetin social Facebook.

Sektori për Hetimin e Krimit Kompjuterik, në bashkëpunim me policinë dhe Prokuirorinë e Tiranës, pas një viti hetimesh bënë të mundur arrestimin e të dyshuarve.

Në kuadër të operacionit u kapën 9 persona për të cilët u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” për shtetasit: E. A., 29 vjeç, I. Q., 27 vjeç, A. M., 48 vjeç, A. T., 28 vjeçe, N. Sh., 21 vjeç, E. H., 33 vjeçe, A. Sh., 21 vjeç, A. A., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi E. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

Të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, për një periudhë një vjeçare, kanë ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive.

Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.

Gjatë operacionit u sekuestruan 10 aparate celularë, 10 numra SIM Card, 3 pajisje elektronike, mandate pagese (tërheqjeje) që faktojnë aktivitetin kriminal të këtyre personave etj.

Ndërkohë vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. /a.y/noa.al