Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi të hënën edhe për 5 të vdekur nga koronavirusi, me të cilët numri i viktimave nga sëmundja që e shkakton ai, COVID-19, arrin në 346.
Tri nga viktimat e fundit janë nga Shkupi, ndërsa nga një është regjistruar në Kumanovë dhe Strugë.
“Parashikimet e autoriteteve shëndetësore botërore se koronavirusi do të zhduket gjatë muajve të verës, nuk janë materializuar. Është një konfirmim se virusi është këtu. Padyshim që do të qëndrojë për një kohë të gjatë dhe ne duhet të jemi të përgatitur. Ne duhet ta përgatisim sistemin e kujdesit shëndetësor dhe t’i respektojmë masat e mbrojtjes personale”, tha ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, duke paralajmërur valë të re në vjeshtë.
"Sipas të gjitha analizave dhe parashikimeve, mbetet supozimi se virusi në vjeshtë do të përhapet më shpejt dhe do të jetë më i fuqishëm se në këtë periudhë, sepse njerëzit do të jenë në hapësira më të mbyllura dhe kjo do të çojë në përhapjen më të madhe të virusit", tha Filipçe.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, nga testimi i 894 mostrave në 24 orët e fundit, me koronavirus janë diagnostikuar 78; prej tyre: 26 në Shkup, 17 në Shtip, 9 në Tetovë, 5 në Gostivar, ndërsa numër më i vogël i të infektuarve në 11 qytete tjera.
Për dallim nga ditët e tjera, numri i të shëruarve nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut të hënën arriti në 172 apo gati 100 më shumë se i të infektuarve, që, njëherësh, paraqet edhe shifrën më të lartë të të shëruarve në dy muajt e fundit.
Maqedonia e Veriut ka konfirmuar gjithsej 7,124 raste me koronavirus. Prej tyre, 3,199 janë shëruar, ndërsa aktive mbeten 3,579 raste.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd