Transmetuar më 06-07-2020, 15:41

Një ditë pas dyshimeve se disa pacientë me COVID-19 në Klinikën Infektive në Prishtinë ndërruan jetë për shkak të  mungesës së oksigjenit, është shkarkuar nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor në Kosovë.

Vendimi është barë gjatë mbledhjes së bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, të cilët në përfundim vendosën të shkarkojnë nga detyra dr. Basri Sejdiun, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Në arsyen zyrtare të shkarkimit thuhet për shkak “të  performancës jo të kënaqshme dhe mos përmbushjes së detyrave të punës”, por vendimi duket se ka lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku 4 pacientë me COVID-19 ndërruan jetë për shkak të një avarie në Infektiv.

Në vend të Sejdiut, ushtrues detyre i drejtorit është caktuar dr. Valbon Krasniqi, mjek specialist i infektologjisë.