Transmetuar më 06-07-2020, 12:02

Detaje tronditëse kanë dalë nga dëshmia e Blerta Josifit, e mbijetuara e vetme e tragjedisë së vetëflijimit në Kombinat, ku u gjetën të vdekura nëna Zhaneta dhe vajza e saj Anisa Josifi.

Vajza e mbijetuar ka pohuar se motra e saj, Anisa, ka vdekur 15 muaj më parë, pikërisht më datë 29 mars 2019. Ndërkohë sipas vajzës, mamaja e saj ka gjetur vdekjen më 2 korrik të këtij viti.

“Motra vdiq më 29 mars të vitit 2019. Mami më 2 korrik të këtij viti”, mësohet të ketë thënë vajza.

Më tej Blerta Josifi ka thënë se motra e saj kishte 52 ditë pa ngrënë dhe pikërisht kjo dyshohet t’i ketë sjellë edhe vdekjen.

“Motra ime, Anisa qëndroi 52 ditë pa ngrënë e pa pirë. Në mars të 2020 nisëm edhe ne me agjërimin, pinim vetëm ujë, donim të bënim sakrificë të kthenim motrën në jetë. Përpara se motra të linte ushqimin e pushtuan demonët dhe krizat nervore. Nuk i treguam askujt. Ditën që mami ndërroi jetë, u ul në gjunjë të lutej.  Gjithë ditën luteshim për të kthyer në jetë motrën. Në ditët e para të korrikut mami ra pa ndjenja në mes të dhomës ku po lutej. Ndërsa unë vazhdova ritin derisa erdhi policia”, ka thënë ndër të tjera Blerta Josifi, raporton ‘Top Channel’.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se familja frekuentonte Kishën Ungjillore por kishte 5 vite që nuk shkonin më.