Transmetuar më 05-07-2020, 00:42

Si ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Hamdi Jupe thotë se parlamenti i sotëm është turpi i popullit shqiptar, është estradë. Në News24, z.Jupe tha se është i pakënaqur me qeverinë Rama, ndonëse nuk i mohon disa punë të mira.

Hamdi Jupe, për shumë vite drejtues i gazetës "Zëri i Popullit", njihet dhe si gazetari që në vitet kur Berisha ishte president bënte i vetmi pyetje të sikletshme ndaj tij. Tani Jupe vazhdon të jetë socialist, por vëren se gjërat nuk janë ashtu si duhet.

“Parlamenti më i mirë i Shqipërisë në këto 30 vite ka qenë ai i viteve ’92-’96 që ka patur një opozitë të flaktë, profesionale dhe plot me intelektualë. Opozita socialiste ishte ajo e cila përballoi një represion të egër të pushtetit të ri demokratik që kishte ardhur e që çoi vendin te ’97-a dhe zgjedhjet e manipuluara të ’96-ës.

Kur erdhëm në pushtet në 1997, ne kishim një maxhorancë absolute atje, por nuk abuzuam asnjëherë, Presidenti p.sh., iu dha opozitës. Edhe në atë kohë opozita ka patur elementë të destruktivitetit, bojkoti, sulmi i kryeministrisë, por ka qenë një parlament që ka përballuar shumë ngjarje të vështira, lufta në Kosovë, varfëria. Kryeministri asokohe, Pandeli Majko, erdhi na bëri mbledhje, na tha sonte natën do të sulmohet Beogradi dhe të përgatitemi që mund të hymë edhe ne në luftë. Ne kemi menduar edhe se ku do futen deputetët, në tunel, tha Majko", kujton ato vite, z. Jupe.

Edhe pse thotë se është socialist, që voton për PS, Hamdi Jupe shprehet se është i pakënaqur nga qeveria Rama.

“Unë prisja shumë më tepër nga qeveria Rama. Janë bërë disa punë, p.sh. ekonomia është mbajtur në kontroll, nuk janë bërë aventura ekonomike. Janë bërë disa vepra infrastrukturore të mira, si rruga e Vlorës, apo e Elbasanit, e Kukësit, rruga e Arbrit, pra ka disa arritje, nuk i mohoj. Nuk ka skandale si Gërdeci në kohën e Berishës, nuk ka vrasje në bulevard, një frymë liberale është pavarësisht se ai e shan shtypin. – thotë Jupe.

Sa i takon një mandati të tretë të kryeministrit Rama, Jupe thotë se mbetet në dilemë.

“Të themi se unë nuk do ta votoj Edi Ramën, po për kë do votoj. Nuk shoh një opozitë më të qenësishme. Duhet edhe një vit kohë dhe shpresoj në lindjen e një partie të re e cila nuk do fitojë maxëzhorancë, por do fitojë aq sa ta thyejë mazhorancën qoftë e majtë apo e djathtë. Nuk duhet që mazhoranca të jetë në një dorë të vetme.” tha Jupe.