Transmetuar më 04-07-2020, 23:41

Ish Drejtoresha Arsimore e Kamzës Ermioni Cekani thotë se Ministrja e Arsimit ishte në dijeni për abuzimet seksuale në shkollën 9 vjeçare në periferi të Tiranës. Ajo thotë se e kishte njoftuar për rastin para se të mësohej arrestimi i rojës së shkollës, ndërsa për rastin ka patur ndërhyrje edhe nga Avokati i popullit.

Në një intervistë telefonike për Top Channel, Cekani tha se nëse do të ishte hetuar për pretendimin e parë të vajzës së miturës si nga Ministria por dhe autoritetet e policisë, historia e abuzimit nuk do të përsëritej.

Dy muaj pasi Besa Shahini u vu në krye të Ministrisë së Arsimit, ish drejtoresha e zyrës vendore arsimore në Kamëz teksa e uronte për emërimin në detyrën e re, i shprehte shqetësimin lidhur me një rast përdhunimi nga një nxënës që ishte në të njëjtën shkollë, ku së fundmi u arrestua bashkë me të edhe roja i shkollës për një tjetër nxënëse të abuzuar seksualisht.

Cekani evidentoi e-mailin ku është vënë në dijeni Ministria e Arsimit dhe të gjitha shkresat e dërguara janë në prokurori.

Intervista me ish drejtoreshën vendore arsimore në Kamëz Ermioni Cekani

Në çfarë viti bëhet fjalë, kur e keni vënë në dijeni Ministrinë juve?

Ish-drejtoresha arsimore Kamëz, Ermioni Cekani: Po ka qenë Besa, ministrja e re, ajo aktuale. Shkurt 2019 i bie.

Po çfarë i shkruanit ju?

Ish-drejtoresha arsimore Kamëz, Ermioni Cekani: I përshkruaja situatën që ishte deri në këtë moment, çfarë kisha në dijeninë time sepse nëse kishte ndodhur apo jo përdhunimi duhet ta vërtetonte Prokuroria. Gjatë takimit që u bë me fokus grupin për pyetësorët doli ky rast. U çua në komisariat, më pas kam bashkangjitur edhe shkresën që i kam çuar komisariatit, ministres.

A ju ktheu përgjigje zonja ministre?

Ish-drejtoresha arsimore Kamëz, Ermioni Cekani: Jo.  Nuk mu përgjigj kurrë, pastaj unë jam larguar në mars.

Po ju çfarë masash morët më tej?

Ish-drejtoresha arsimore Kamëz, Ermioni Cekani: Ne e denoncuam në polici. Komisariati e ndaloi atë djalin, pastaj e liroi përsëri sepse sipas atyre nuk kishte bërë gjë. Tani ata janë organi që vendosin, ne deri këtu e kemi detyrën. Biles ka pasur edhe ndërhyrje, jo ndërhyrje…por ndërhyrje institucionale nga Avokati i Popullit te drejtori i shkollës që pse nuk e pranon që ai ska bërë gjë.

Pra, Avokati i Popullit ka ndërhyrë për të zgjidhur?

Ish-drejtoresha arsimore Kamëz, Ermioni Cekani:  Drejtori i shkollës mund të të sqarojë për këtë pjesë sepse nuk më ka kontaktuar mua jo Avokati i Popullit, por një punonjës i Avokatit të Popullit.

Pra donte që të pushonte çështjen?

Ish-drejtoresha arsimore Kamëz, Ermioni Cekani: Ne e denoncuam në polici dhe tha që prindërit e atij janë ankuar te Avokati i Popullit, a diçka e tillë … një nga specialistët, inspektorët apo komisionerët si quhen,  kontaktuan me drejtorin e shkollës dhe i  kanë thënë bëhet fjalë për një nxënës, i cili është një nga këta të rinjtë që janë arrestuar tani.

Por ju asnjëherë nuk morët përgjigje nga zonja ministre Besa Shahini?

Ish-drejtoresha arsimore Kamëz, Ermioni Cekani: Kristi, unë e kam njoftuar, ato mund ti pyesni më tej.