Transmetuar më 04-07-2020, 21:14

Bashkia Tiranë dhe Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetës (SHKTQ) njoftuan të shtunën se nga data 6 korrik do të rinisë shërbimi urban.

Fillimisht bashkia njoftoi se kishte dakordësuar protokollin e ri të shërbimit duke bërë të detyrueshëm mbajtjen e maskave gjatë udhëtimit, por edhe në stacionet e autobusëve. Megjithatë në protokollin e ri, ra në sy fakti se përgjegjësia për zbatimin e rregullores do të ishte personale dhe jo më përgjegjësi e kompanive.

“Subjektet e licencuara (operatorë të transportit), nuk janë përgjegjës për mosrespektim të këtij protokolli nga pasagjerët. Masat e parashikuara në protokollin e sigurisë janë objekt kontrolli nga organet kompetente të parashikuara në aktet ligjore në fuqi,” – thuhet në protokollin e sigurisë të publikuar nga bashkia e Tiranës.

Në një deklaratë për media SHKTQ tha se “Bashkia Tiranë zgjidhi pjesërisht kërkesat e bëra publike” duke “rishikuar protokollin e sigurisë, ku ka lehtësuar përgjegjësinë ligjore të operatorëve”.

Në rregullat e njoftuara nga Bashkia Tiranë, udhëtarët, punonjësit e kompanisë, shoferët, faturinot dhe kontrollorët do të duhet të mbajnë maska në autobusë.

Nga ana tjetër operatorët detyrohen të vendosin posterë për respektimin e rregullave të distancimit fizik dhe mbajtjes së maskave, do të duhet të dezinfektojnë periodikisht autobusët, të sigurojnë dezinfektonte për punonjësit dhe të mundësojnë ajrosje të mjeteve të transportit përmes dritareve apo strukturave të hapura.

SHKTQ thotë se do të vijojë të diskutojë me Bashkinë Tiranë për “hartimin e një kontrate shtesë me kushte dhe afate të përcaktuara për zbatim nga secila prej palëve (bashkia dhe operatorët)”.

“Moszabtimi i kushteve të kontratës shtesë do të përbëjë shkak në ditët në vijim për rindërprejen e këtij shërbimi,” – thuhet në deklaratën e Shoqatës e cila kujton se operatorët e transportit publik janë vënë përballë një situate të rënduar ekonomike për shkak se prej 4 muajsh nuk kanë qenë në aktivitet.

Deklarata e plotë nga SHKTQ

Pas zgjidhjes së pjesëshme të kërkesave tona, tashmë të bëra publike, në marrëveshje me Kryetarin e Bashkisë, z.Veliaj, ju bëjmë me dije vendimin e të gjithë operatorëve të transportit publik në qytetin e Tiranës për rifillimin e shërbimit të transportit qytetës në Tiranë në kushte të reja në përputhje me stuatën epidemike.

Bashkia Tiranë, sipas kërkesës tone, ka rishikuar dhe ka bërë ndryshimin e protokollit të sigurisë, ku ndër të tjera, sipas legjislacionit në fuqi, ka lehtësuar përgjegjësinë ligjore të operatorëve duke bërë të mundur operimin në linjë.

Bazuar nga sa më lart, ne, operatorët e transportit publik në Tiranë, kemi marrë vendimin për të rifilluar shërbimin në linja me kapacitete të përshtatura me kushtet e reja, në respekt të kërkesës së Kryetarit të Bashkisë dhe të qytetarëve të Tiranës, me qëllim mundësimin e ofrimit të këtij shërbimi në qytet.

Ndërkohë me Bashkinë Tiranë do të vijojnë diskutimi i kushteve për hartimin e një kontrate shtesë me kushte dhe afate të përcatuara për zbatim nga secila prej palëve (bashkia dhe operatorët). Moszabtimi i kushteve të kontratës shtesë do të përbëjë shkak në ditët në vijim për rindërprejen e këtij shërbimi.

Mbetemi shpresëplot se do të plotësohen edhe kërkesat tona ekonomike, të dakortësuara në marrëveshjen me bashkinë, pasi në rast të kundërt, situata e krijuar do të na çojë drejt falimentit të sigurt.

I bëjmë thirrje të gjithë përdoruesve të transportit publik, të respektojnë protokollin e sigurisë antiCovid-19, për shëndetin e tyre dhe të stafit tonë. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetës (SHKTQ)