Transmetuar më 01-07-2020, 19:20

Intervistoi: Aranit Muraçi

Nuk është e lehtë braktisja e vendlindjes, por sikurse prej vitesh largimi është kthyer në një normalitet për shumë të rinj shqiptarë, edhe artistët detyrohen ndonjëherë të kërkojnë hapësira dhe mundësi të  reja në vende të tjera, të zhvilluara, edhe pse të largëta.

Këngëtarja Rudina Delia pas largimit nga Shqipëria, është vendosur prej pak vitesh në Toronto, ku jeton dhe zhvillon karrierën e saj artistike atje, dhe ku po përjeton një tjetër eksperiencë dinjitoze përtej oqeanit. Nga Kanadaja e largët, ajo rikthehet për artdashësit dhe publikun shqiptar, përmes një interviste ekskluzive dhënë për "NOA.al". Mes të tjerash Rudina tregon peripecitë që po kalon arti dhe artistët atje në këtë periudhë të vështirë për botën, për shkak të pandemisë, ndonëse kemi të bëjmë me një ndër vendet më të zhvilluara në botë. Ajo bën edhe krahasimin me vendin tonë.  Si të mos mjaftojë periudha e pandemisë, këngëtarja thotë se në Shqipëri, "për më tepër rregullat e lojës vendosen gjithnjë nga më i “forti” dhe në favor të më të “fortit”.

Në Dhjetor 2010, Rudina Delia mori pjesë për herë të në Festivali i 49-të të Këngës në RTSH me këngën "Tek ti gjeta dashurinë" dhe një vit më vonë me këngën "Më kërko". Më tej, para se të largohej nga Shqipëria ishte pjesëmarrëse në disa festivale, duke bashkëpunuar me emra të rëndësishëm të muzikës së lehtë shqiptare.  Gjithashtu, vlen të theksohet edhe një periudhë tjetër në karrierën e saj muzikore, teksa vijon të jetë pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, kryesisht si soliste. Në intervistën për "NOA.al", Rudina tregon me pak fjalë se muzika ku ajo bë gjerësisht e njohur nga publiku shqiptar nuk është thjesht profesion, por pasioni i saj, madje edhe kohën e izolimit e ka shfrytrëzuar për të realizuar projekte të reja:

Rudina, prej disa kohësh keni vendosur që karrierën tuaj artistike ta zhvilloni në Kanada. Pasojat që la pas Covid-19 ishin të vështira në të gjithë botën, sidoemos për Europën dhe po ashtu edhe për vendin tonë, për shkak të izolimit, por a është prekur njësoj edhe andej bota artistike? Ju personalisht si i keni i përjetuar këto muaj të vështirë?

Po, prej disa kohësh jam vendosur dhe jetoj në Kanada. Si në të gjithë botën, edhe këtu ku jetoj arti është prekur dhe po vuan pasojat që solli pandemia e Covid-19. Ka qenë i pashmangshëm ndalimi që i është bërë artit e muzikës "live", megjithëse përmes rrugëve virtuale artistët janë munduar t’i mbajnë njerëzit sa më pranë tyre. Artistët janë bashkuar dhe janë mbledhur këto ditë këtu në Kanada, me një peticion, ku i kërkojnë shtetit për një mbështetje të veçantë, gjatë periudhës që atyre nuk iu lejua të performonin "live" nëpër koncerte, evente etj.

Personalisht këtë periudhë të izolimit e kam përdorur pikërisht për ta kthyer atë në favorin tim dhe të muzikës që di të bëj, duke i dhënë vetes një mundësi për një eksperiencë të re, për ta hapur dyer të reja, apo edhe për të krijuar edhe më shumë besim për të ardhmen. Së shpejti do të më shihni edhe në një "music-production". Kaq mund të them për momentin.

Shumë artistë në Shqipëri janë ankuar, pasi pretendojnë se me mbylljen e aktiviteteve janë harruar dhe nuk kanë pasur mbështetjen e qeverisë pas izolimit. Po në Kanada si trajtohen artistët dhe më konkretisht ju ndiheni më e vlerësuar atje apo kur ishin në vendin tuaj, të paktën nga vëmendja që i kushtojnë  autoritetet artit dhe kulturës?  

Sikur e përmenda në këto momente çdo gjë mbetet e pasigurt, përsa i përket kohës që po përjetojmë. Ndërsa nëse i referohemi së ardhmes,  gjithmonë arti gjen vlerësimin më të madh në përpjestim me zhvillimin e një vendi dhe sigurisht të shtetit, që investon dhe interesohet për të. Personalisht ndihem e vlerësuar aty ku gjej terren për perspektivë dhe prosperitet. Besoj se vetëm kështu mund të shohim më mirë edhe nga e ardhmja.

Në vendin tonë ka pasur pretendime të shumta se industria e tregut muzikor dhe madje ajo artistike është përgjithësisht e manipuluar. Duke përfituar nga niveli i ulët kulturor dhe arsimor i të rinjve një grusht njerëzish përmes marketingut të pandershëm, rrjeteve sociale dhe mediave, fitojnë  vazhdimisht famë dhe para, por paradoksalisht nuk përfaqësojnë asgjë…

Shqipëria është një vend, që së pari çalon dhe pëson goditje të forta nga problemet jetike, dhe këto  probleme pasohen apo reflektohen më tej edhe në ato të artit. Jemi një  vend i vogël, por me klane e grupime, nga ku artistët ndeshin "hendeqe të shtrenjta", në kuptimin e plotë të fjalës. Nga kjo situatë, frutet e punës dhe të investimeve nga artistë të rinj nuk merren në kohë reale. Dhe për më tepër rregullat e lojës vendosen gjithnjë nga më i “forti” dhe në favor të më të “fortit”.

A mendoni se është një kjo një goditje e dytë shpirtërore  për artistët e vërtetë, të cilët nuk gjejnë hapësirë për të shprehur talentin e tyre?

Sot çdo talent që përpiqet të dalë në sipërfaqe, atij i duhet të ndeshet së pari me një sistem të vështirë. Personalisht e kam marrë kënaqësinë që të jep muzika dhe skena, pasi kam guxuar dhe provuar disa zhanre muzikore. Kam punuar ndër vite vetëm me muzikën, krijimin e saj dhe si rrjedhojë më ka shpërblyer me eksperiencën që kam fituar, vetëbesimin dhe motivimin që më ka dhënë, teksa shoh rezultatet përgjatë rrugëtimit tim. Kam jetuar veç me muzikën në Shqipëri dhe kjo nuk është pak.

Si ka ecur jeta juaj profesionale në Kanada, mund të na flisni më konkretisht për projekt tuaj të së ardhmes dhe a ju ka munguar ndopak Shqipëria?

Përtej çdo force dhe guximi që kërkon një rinisje apo destinacion i ri, ndihem me fat që kam qenë pranë artit tim, që nga momenti që shkela në Kanada. Ndiej se Zoti i krijoi vetë rrethanat, që të mos ndahesha nga ajo që dua aq shumë. Shqipëria do të më mungojë gjithnjë, përsa i përket kujtimeve, familjes dhe buzëqeshjeve për kohët, që kam përjetuar me njerëz shumë të dashur. Dhe e ardhmja, sigurisht, do të vijojë me projekte të reja. Aktualisht po punohet për realizimin e tyre.

/NOA.al