Akuzat e Prokurorisë Speciale, Thaçi nuk e ka detyrim dorëheqjen si President i Kosovës
Transmetuar më 28-06-2020, 00:29

Vetëm 3 ditë para takimit të përcaktuar në Ushaingon midis Kosovë dhe Serbisë për rinisjen e dialogut, prokuroria Speciale publikoi aktakuzat për dy prej liderëve të politikës së Kosovës, Presidentit Hashim Thaci dhe ish-kryetarit të Parlamentit, Kadri Veseli, aktualisht deputet dhe drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës.

Referuar kësaj, ekspertë të fushës së drejtësisë dhe politikës në Kosovë ndajnë qëndrime të ndryshme sa i përket dorëheqjes së mundshme të Presidentit Thaçi.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se pavarësisht se Kushtetuta e vendit nuk e detyron për një veprim të tillë, do të ishte e pahijshme për vendin të udhëhiqet nga një lider institucional, për të cilin rëndojnë akuza për krime lufte.

“Konsiderojmë që dorëheqja e presidentit Thaçi është e pashmangshme duke pasur parasysh integritetit e institucioneve dhe vetë Republikës së Kosovës i cili do të dëmtohej nëse presidenti Thaçi në një akuzë ende të pakonfirmuar do të qëndronte në pozitën e presidentit. Thjesht sjellja e presidentit tani duhet të ishte dinjitoze në mënyrë që të jap dorëheqje për të ruajtur dinjitetit e institucionit të presidentit, dhe po ashtu imazhin e Kosovës në faktorin ndërkombëtar. Do të ishte e pahijshme që një shtet si Kosova të udhëhiqej nga një lider institucional cili ka një aktakuzë edhe pse ende të supozuar, të pakonfirmuar. Por mbi të rëndojnë akuza krime lufte,” – shprehet Betim Musliu nga IKD.

Ndryshe mendon analisti politik, Ramush Tahiri, i cili shprehet se dorëheqja nga posti i presidentit duhet të vijë pasi të konfirmohet aktakuza nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.

“Hashim Thaçi në momentin që ngritët aktakuza tash është propozim aktakuzë, që e pranon gjyqtari, duhet të jap dorëheqje. Disa thonë që është akt-moral, unë them që është akt-ligjor. Në Kushtetutën e Kosovës, në kompetencat e kryeministrit dhe presidentit thuhet se nëse ngritët aktakuza nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës dhe gjykata të këtij rangu, personi që e mban detyrën duhet të jep dorëheqje, të lirojë funksionin në mënyrë që atje të ballafaqohet si person privat,” – shprehet Tahiri.

Pavarësisht kësaj, kreu i shtetit të Kosovës nuk detyrohet të japë dorëheqje në bazën ligjore dhe Kushtetuese.

Nga IKD-ja, Betim Musliu thotë se nuk ekziston asnjë kompetencë në Kushtetutë që e detyron Thaçin të japë dorëheqje.

“Ne vlerësojmë që asnjë kompetencë nuk ekziston në Kushtetutën e Kosovës që e detyron presidentin e Kosovës që në këtë periudhë të japë dorëheqje,” – tregon Musliu.

Loading...