Transmetuar më 27-06-2020, 00:37

Vala e koronavirusit (COVID-19) në vjeshtë mund të jetë sfidë më e madhe se vala e parë dhe e dytë, deklaroi ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Filipçe këtë e theksoi në konferencën e përbashkët për media në Qeveri në të cilën ishte i pranishëm edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, me të cilin biseduan për realizimin e projektit për receta elektronike për barnat.

Lidhur me gjendjen aktuale me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, ministri Filipçe tha se gjatë 5-6 ditëve të fundit faktori i transmetimit është nën 1 për shkak të së cilës shprehu besimin se ashtu do të mbetet edhe gjatë periudhës së ardhshme, por paralajmëroi se muajt e vjeshtës do të jenë sfidë e madhe për sistemin shëndetësor.

"Vijnë muajt e vjeshtës në të cilat moti nuk do të jetë i mirë. Njerëzit do të jenë në hapësira të mbyllura. Do të fillojnë të punojnë shkollat dhe këto janë faktorë rreziku serioz së bashku me numrin tjetër të pacientëve për shkak të patologjive të tjera të cilat pritet t’i mbushin kapacitetet që tani janë të plotësuara. Kjo mund të paraqesë me të vërtetë një sfidë serioze për sistemin tonë shëndetësor, shumë më e madhe se vala e parë dhe e dytë", tha Filipçe.

Lidhur me takimet me ekspertin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Fabio Skano, ai informoi se me të ka patur diskutim shumë të detajuar para së gjithash nga përvojat e vendeve tjera lidhur me përballjen me gjendjet e shkaktuara nga COVID-19.

“Me të vërtetë edhe ai vet na tha se të gjithë aktorët në shoqëri duhet të kyçen për shkak se edhe qytetarët janë një nga segmentët më të rëndësishëm. Sot në mëngjes pata takim me BFI-në. Planifikoj të takohem edhe me përfaqësuesit e KOM-it me përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe në bazë të kësaj të inicoj takim në të cilin do të marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit si dhe të qeverisë”, tha Filipçe.

Ai theksoi se sistemi shëndetësor është shumë më i përgatitur se sa në fillim të krizës dhe shtoi se kjo krizë mirë po menaxhohet.

Nga ana tjetër, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski informoi për realizimin e projektit për receta elektronike.