Transmetuar më 26-06-2020, 20:49

Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh sot se ndryshe nga partitë e tjera, PS po i reskepton një për një masat për Covid-19.

Në fotot e bëra publike nga takimi, Balla tregoi se edhe ministrat apo edhe kryebashkiaku i Tiranës janë detyruar të mbajnë distancë sociale, ndonëse duket se vetëm për Veliajn kjo krijoi një farë mërzitjeje.

Të paktën Veliaj i tillë është shfaqur në imazhet e bëra publike nga takimi i Këshillit Koordinativ të PS-së, për qarkun e Tiranës.

Gjithsesi, Taulant Balla zbuloi në këtë takim se PS po merr në konsideratë hapjen e listave para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

"Duke respektuar një për një masat mbrojtëse anti-covid, vijuam në qarkun Tiranë me Këshillin Koordinativ të Partisë Socialiste me fokus në planin organizativ, në thellimin e barazisë gjinore, përfshirjen e të rinjve dhe në vendosjen e piketave tona strukturore për zgjedhjet e Prill-Majit 2021, ku ne do të marrim besimin për mandatin tonë të tretë qeverisës me kryeministrin Edi Rama", theksoi Taulant Balla, pas këtij takimi.

Balla shpjegoi edhe marrëveshjen e fundit për Kodin Zgjedhor, para zgjedhjeve të ardhshme.

“Marrëveshja me opozitën jo-parlamentare mbi Kodin Zgjedhor, është një marrëveshje që ka krijuar kushtet pozitive në raport me klimën politike dhe ne do ta votojmë atë në Kuvend".

"Marrëveshja është marrëveshje dhe ne do ta respektojmë, duke vlerësuar edhe angazhimin plus mundimin e partnerëve tanë. Partia Socialiste gjithmonë i ka respektuar marrëveshjet, edhe pse kjo ishte një marrëveshje për të mos ndryshuar asgjë nga mënyra e administrimit të zgjedhjeve. Opozita jashtë-parlamentare ndërkohë duhet të heqë dorë nga fyerjet ndaj deputetëve të listave të tyre të mbyllura në Kuvend dhe gjithashtu ta harrojnë se mund t’i imponojnë KUVENDIT se çfarë do diskutohet në seancë, apo në komisione" nënvizoi Sekretari i Përgjithsëhm i PS-së, nga ky takim.

Balla pranoi për herë të parë se PS-ja mund të marrë në konsideratë edhe propozimet e opozitës parlamentare, për hapjen e listave.

"Lidhur me propozimet e opozitës parlamentare për sistemin zgjedhor, si kusht për të arritur me ta një mirëkuptim, për të votuar, kjo është temë tjetër. Është fakt që shumica dërrmuese e shqiptarëve as nuk e pëlqejnë marrëveshjen për Kodin dhe as nuk i duan listat e mbyllura".

"Hapja e listave për ne nuk është aspak tabu. Prandaj ne do të ulemi me opozitën parlamentare për të diskutuar mbi këtë cështje”, u shpreh Balla gjatë takimit.

NOA.al