Presidentit Hashim Thaçi i ngrihet aktakuzë nga Haga për krime lufte, i përfshirë me të tjerë në rreth 100 vrasje
Transmetuar më 24-06-2020, 16:18

Publikohen aktakuzat e ngritura ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të ngritura zuyrtarisht ndaj tyre në 24 prill 2020.

Sipas Reuters, zyra e Prokurorit Special në Hagë tha se kishte ngritur një aktakuzë kundër Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe "të tjerëve" për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë gati 100 vrasje.

Aktakuza është "rezultat i një hetimi të gjatë dhe pasqyron përcaktimin e SPO (Zyra e Prokurorit Special) se ai mund të vërtetojë të gjitha akuzat përtej një dyshimi të arsyeshëm," thuhet në deklaratë.

Mediat kosovare kanë dhënë edhe detaje mbi aktakuzën.

Prokuroria Speciala tha se në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e Zyrës së Prokurorit tё Specializuar se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në njoftimin e bërë publik nga Gjykata Speciale.

Gjykata gjithashtu pretendon se Thaçi dhe Veseli janë përpjekur disa herë të pengojnë dhe sabotojnë punën e Dhomës Speciale të Kosovës. “Besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. Thaçi dhe z. Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është njoftimi i Gjykatës Speciale.

Pritet reagimi i Thaçit dhe Veselit, ndërsa kujtojmë se më herët nën akuza të ngjashme është përfshirë edhe ish-kryeminsitri, Ramush Haradinaj.

/NOA.al

Loading...