Transmetuar më 23-06-2020, 09:57

Qeveria shqiptare është kujdesur që mitingjet dhe protestat të ndalen për një kohë të gjatë dhe të pacaktuar, edhe pse sot më 23 qershor përfundoi gjendja e jashtëzakonshme, pasi një ligj special i ndalon ato. Ky ligj u miratua nën debate të shumta për ligjshmërinë e tij, para disa javësh në Parlamentin e kontrolluar tërësisht nga e majta në pushtet.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, doli sot me një deklaratë të regjistruar e cila iu dërgua mediave, dhe foli mbi këtë argument.

"Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARS-COV2. Që do të thotë që do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë.

Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

Strukturat e Task-Forcës anti-Covid vijojnë të jenë të angazhuar 24/7 në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës, paralajmëroi zonja Manastirliu.

Deklaratat e Manastirliut vijnë ndërsa paralelisht bashkia Tiranë ka përgatitur një koncert maratonë i cili mbledh shumë këngëtarë në amiteatrin e liqenit, si aktivitet festiv për mbylljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ky koncert i planifikuar të bëhej në sheshin Skënderbej, do të jetë sot ora 19, por duke parë se janë shtuar të infektuarit, bashkia është tërhequr nga mbledhja masive e njerëzve edhe pse po harxhohen dhjetëra milionë lekë.

Situata epidemiologjike në vend ka patur një trend në rritje gjatë javëve së fundit sa i përket numrit të shtuar të rasteve pozitive ditore, por edhe të shtrimeve në Spitalin Infektiv në QSUT. /noa.al/

https://www.facebook.com/10150117136375198/posts/10163488076420198/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd