Transmetuar më 06-06-2020, 11:06

Nga 253 testime të kryera në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 20 raste pozitive me koronavirus.

Prej tyre 10 në Tiranë, 3 në Shkodër, 3 në Krujë, 2 në Durrës dhe 2 në Tropojë.

Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte familjare dhe disa raste të reja në proces hetimi.

Përfaqësuesja e ministrisë së Shëndetësisë, Flutura Beqo, deklaroi se në orët e fundit është konfirmuar një personel shëndetësor i riinfektuar, pas tre muajsh.

Rasti në fjalë është infektuar për herë të dytë, si kontakt familjar, ndërsa gjendja e tij shëndetesore është e stabilizuar.

Gjatë 24 orëve të fundit një 85 vjeçare nga Tirana ka humbur jetën në Spitalin Infektiv, e konfirmuar me Covid-19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese.

Deri me sot 34 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me Covid-19 pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 27 të prekur, nga të cilët 6 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar.

Ndërkohë në Laboratorin e Virologjisë në ISHP kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me COVID19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve ne te gjithë vendin.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 15 qytetarë, duke e çuar në 925 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë.

Deri tani janë kryer mbi 18 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1232 raste. Në vendin tonë janë aktualisht 273 persona aktivë me COVID19, rreth 70% e të cilëve janë në Tiranë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 187; Krujë 23; Shkodër 17; Kamëz 14; Durrës 10; Mat 9; Lushnje 6; Berat 2; Tropojë 2; Korçë 1; Librazhd 1 dhe Mallakastër 1.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju fton edhe njëherë për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrengimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës vetjake dhe shmangien e grumbullimeve.  Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID19”, u shpreh Beqo.

COVID-19- Statistika 6 Qershor 2020

Testime totale 18097

Testime molekulare 16062

Testime serologjike 2035

Raste pozitive 1232

Raste të shëruara 925

Raste Aktive 273

Humbje jete 34 (Qarku Tiranë 21, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)