Transmetuar më 05-06-2020, 20:36

Teksa vijon mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, dalin në dritë edhe detajet e para të marrëveshjes.

Kështu është arritur dakordësia për administrimin e zgjedhjeve. Ndërkohë palët pranojnë përfshirjen 100% të identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhje.

Kjo shihet si mundësia më e mirë për të ndaluar votimin shumë se një herë. Palët zgjidhën edhe çështjen që mbajti pezull dakordësinë për 4 ditë, atë të përbërjes së komisioneve zgjedhore.

PS u tërhoq nga depolitizimi i administratës zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme, një vendim i papritur pasi PD kërkoi që administrata publike të jetë e përjashtuar sipas një formule të propozuar nga BE. Mësohet se PD e pranoi në mëngjes këtë formulë për depolitizimin.

Për zgjedhjet e ardhshme, komisionet do të mbeten siç janë aktualisht. Pjesë e dakordësisë mes palëve për administrimin zgjedhor është edhe riformatimi i KQZ-së. Ky do të jetë një organ i ndarë në tre trupa të balancuara politike.

Kryetari zgjidhet me konsensus, nënkryetari nga opozita. Puna do të vijojë për çështjet e tjera në Këshill, që nuk kanë të bëjnë me administraten zgjedhore.

Palët kanë rënë dakord që Parlamenti të mos e ndryshojë dot draftin pa pëlqimin e palëve në Këshillin Politik. Mësohet se rol kyç në dakordësinë mes palëve ka patur Komisioni Europian.