Ndërroi jetë nga sëmundja e rëndë, rrëfimi prekës i babait të futbollistit të ndjerë: Nuk kishte frikë se do vdiste
Transmetuar më 02-06-2020, 22:10

Një lajm i rëndë tronditi ditën e premte në mbrëmje mbarë opinionin sportiv dhe jo vetëm. Ish-futbollisti i akademisë së Skënderbeut, Dorian Tahirllari, ndërroi jetë rreth orës 22:00 në spitalin e Korçës, pasi humbi betejën 2-vjeçare me sëmundjen e rëndë të tumorit malinj, pas plot 4 operacioneve.

Në lidhje me këtë ngjarje të dhimbshme, babai i Dorianit, Florenti, në një lidhje me emisionin “Shqipëria Live”, ka deklaruar se i biri asnjëherë nuk ka folur për vdekjen dhe nuk kishte frikë nga ajo.

“Doriani ishte një djalë i fortë. Asnjëherë nuk tha, ‘o ba të lutem më shpëto’, jo. Nuk tha kam frikë nga vdekja. I kam bërë një vizitë në Turqi. As mamasë nuk është se i ka lënë ndonjë shenjë. Kërkoi kur ishte në spital, ishte lufta e fundit, ishin minutat e fundit.

Ai e kishte kuptuar shumë mirë. Më lutej që ta sillja në shtëpi.Më tha më ka marrë malli për gjyshen, gjyshin, për shokët. Ende nuk e besoj që ai ka vdekur”, u shpreh Florent Tahirllai, babai i ish-futbollistit 18-vjeçar.

Loading...