Transmetuar më 01-06-2020, 11:39

Operacioni Forca e Ligjit kërkojnë që të provojnë ligjshmërinë e pasurisë së tyre, katër persona me rekorde të theksuara kriminale nga Berati dhe Poliçani.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, Myrteza Totos, Aleks Priftit, Edison Begës dhe Donald Lavdarit.

Myrteza Toto, banues në Berat, rezulton i dënuar me vendim të Gjykatës Penale të Veronës, Itali, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni” në rrethana rënduese, vendim i njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat.

Edison Bega, banues në Berat, është i dënuar në Itali për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni me të mitur dhe të rritur”, “Favorizim prostitucioni me të mitur dhe të rritur” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, me vendim të njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat.

Donald Lavdari, banues në Poliçan, ndodhet në ndjekje gjyqësore nga autoritetet spanjolle, për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje e lëndëve narkotike”.

Aleks Prifti, banues në Berat, rezulton i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” e kryer në bashkëpunim.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /a.y/noa.al