Tregtarët ambulantë rikthehen në qoshe rrugësh me frikën e përndjekjes
Transmetuar më 31-05-2020, 23:09

Pas tre muajsh izolimi në shtëpi, Kujtim Ferhati doli sërish më 27 maj në një cep të Bulevardit të Ri të Tiranës për të shitur kokoshka mbi një biçikletë të improvizuar, nga e cila shpërndahen tinguj të muzikës popullore.

Ndërsa përpiqet të fitojë ndonjë lek për të plotësuar pensionin, 65-vjeçari e mban gjithmonë një sy hapur në drejtim të rrugës.

“Ja, mundohemi me këtë karrocën të nxjerrim ndonjë të ardhur. Tani po ruhem vazhdimisht se mos vjen ndonjë furgon policie të m’i marrë,” thotë ai me shqetësim, ndërsa mbush një kaush letre me kokoshka për një fëmijë.

Ferhati dhe bashkëshortja e tij i mbijetuan izolimit nga pandemia e koronavirusit të ri me të ardhurat minimale nga pensionet, por ato janë të pamjaftueshme. Ai iu rikthye shitjes së kokoshkave prej tre ditësh, me shqetësimin se mund të dalë i humbur nga aksionet e vazhdueshme të policisë bashkiake.

Qindra tregtarë ambulantë të Tiranës ndajnë të njëjtin hall, ndërsa po përpiqen të rikuperojnë të ardhurat pas izolimit të gjatë nga pandemia e COVID-19. BIRN intervistoi një duzinë tregtarësh ambulantë të fshehur nëpër qoshe rrugësh apo brenda lagjeve, të cilët ankohen për ulje drastike të kërkesës dhe për përndjekje nga policia bashkiake e Tiranës.

Tregtarët ambulantë shënjestrohen prej vitesh nga policia bashkiake e Tiranës, e cila u vendos atyre gjoba të kripura dhe shpeshherë u sekuestron edhe mallin. Gjatë vitit 2017 deri në 6-mujorin e parë të 2018-s, mbi 21 mijë shitës ambulantë u gjobitën për tregti të paligjshme në hapësirat publike të Bashkisë së Tiranës.

Akte të tilla vazhduan edhe pas hapjes së vendit nga pandemia e COVID-19, ndërsa në rrjetet sociale qarkulloi videoja e një gruaje që qante me dënese, pasi policët bashkiakë i konfiskuan karrocën e kokoshkave.

Foto: Lumja, 75 vjeç ka sjellë nga Selita disa vazo me lule për t’i shitur në Tiranë

Njësoj si Ferhati, edhe Lumja, një 70-vjeçare nga Selita e Tiranës ka dalë për herë të parë pas tre muajsh për të shitur lule dhe rrënjë lulesh në një cep rruge të Tiranës. E buzëqeshur dhe me një maskë që duket se e bezdis në të folur, e moshuara nuk e fsheh entuziazmin për daljen nga izolimi.

“Shihi lulet e mia sa te bukura i kam,” thotë Lumja me krenari për bimët që i rrit në oborrin e shtëpisë. “Po i shes pothuajse falas, nga 100 lekë të reja, pasi njerëzit nuk kanë më lekë të blejnë,” shton ajo, e sigurt se një pjesë do t’i kthejë sërish në shtëpi.

E moshuara detyrohet shpeshherë t’i mbajë vetë vazot e luleve nga Selita; një sakrificë që thotë se duhet ta bëjë për hir të familjes, që nuk është në gjendje të mirë ekonomike. Ajo i tha BIRN se merr një pension prej 14 mijë lekësh, që nuk mjafton për medikamentet.

Pak metra më tutje, Faiku*, 67 vjeç, tregton fara luledielli dhe kumbulla. Ai rri pothuajse 4-5 orë në ditë jashtë dhe thotë se fiton vetëm 400 lekë të reja, sa për të blerë bukë dhe ndonjë produkt tjetër bazik për t’u ushqyer.

“Njerëzit nuk po blejnë më, situata është rënduar… çfarë mund të fitoj unë duke shitur kausha farash prej 10 lekësh të reja,” pyet Faiku.

Në mungesë të transportit publik, shitësit ambulantë detyrohen të ecin me orë të tëra në këmbë ose të përdorin biçikletat. Por mundi zor se i shpërblen me fitimet e para pandemisë.

Një 42-vjeçar vjen çdo mëngjes me biçikletë nga Ura e Beshirit në Ndroq për të shitur pula fshati të therura ose pak bidona me mjaltë. Por klientët e tij të zakonshëm nuk e marrin më në telefon për t’i dhënë porosi.

“Më duhet të vij përditë i ngarkuar me biçikletë, pasi nuk ka më furgona dhe ka raste që e çoj mallin mrapsht e duhet ta risjell të nesërmen për ta shitur, pasi shitjet kanë rënë,” thotë burri.

“I kam ulur [pulat] nga 10 mijë në 7 mijë lekë, por ka prapë këtu kanë mbetur, që prej orës 7 të mëngjesit. Duke mos llogaritur që janë të therura, të pastruara e të bëra gati,” thotë tregtari, gjithmonë në vigjilencë për të mbledhur produktet e për të ikur nëse sheh ndonjë gjurmë të policisë bashkiake.

Edhe Enea* vjen çdo mëngjes nga Peza së bashku me të atin për të shitur pula fshati. 15 vjeçari është pjesë e një familjeje prej 7 anëtarësh, që mbahen me paratë që sigurojnë nga shitjet ambulante.

“Unë ndihmoj babin, i cili shet në një zonë tjetër…Jemi 7 veta në familje dhe mbahemi vetëm me të ardhurat që nxjerrim nga shitja e këtyre produkteve. Maksimumi në ditë që unë nxjerr është 20 mijë lekë [të vjetra] jo më shumë,” thotë Enea.

Foto: Faiku shet fara për 10 lekë kaushi në një rrugë të Tiranës

Frika është e pranishme te të gjithë tregtarët ambulantë, por Vera kontrollon më shpesh rrugën, nëse dikush po e filmon fshehurazi. E stacionuar në një cep pallati në zonën e Tiranës së Re, gruaja rreth të 35-ave shet vezë të freskëta dhe pak qese me sallatë jeshile.

“Më kanë ardhur disa herë policat e mi kanë marrë qeset…ose ka edhe nga ata që më kanë thënë me përbuzje m’i bëj 10 kokrra vezë,” thotë gruaja, ndërsa shton se nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveçse t’i falte vezët.

Gruaja thotë se bën çdo ditë 4 orë në këmbë vajtje-ardhje dhe shpeshherë kthehet në shtëpi duarbosh.

“Bëj 4 orë rrugë në këmbë çdo ditë, për më tepër kur vij jam dhe e ngarkuar…por ç’të bëj? Jemi 8 veta në familje për t’u mbajtur, s’kemi të ardhura të tjera përveç prodhimeve të tokës,” shton ajo.

Kujtim Ferhati nuk e ka harruar ende episodin e një viti më parë, kur një furgon i policisë i ndaloi te këmbët dhe pasi e filmuan atë, e kërcënuan se do t’ia sekuestronin karrocën nëse nuk do të largohej nga Bulevardi.

“Unë nga shteti nuk kërkoj asgjë, as lekë, as ndihmë, as 400 mijë lekëshin, vetëm i lutem të na lënë të punojmë këtu disa orë në ditë, mos të na ngacmojnë se nuk po bëjmë asgjë. Po argëtojmë kalamajtë me pak muzikë dhe kokoshka,” përfundoi ai.

*Emrat e disa prej të intervistuarve janë ndryshuar për të ruajtur privatësinë e tyre.

Foto: Tezga e një tregtari ambulant, që shet pula fshati të pastruara dhe mjaltë

Foto: Një ambulant udhëton nga Ndroqi në Tiranë për të shitur pula fshati dhe produkte të tjera. Foto: Nensi Bogdani

Loading...