Transmetuar më 31-05-2020, 10:46

Kyetari i Partisë Demokratike ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.

Temë e diskutimit ishte situata ekonomike pas koronavirusit, si edhe për mundësitë e rimëkëmbjes pas krizës.

Përfaqësuesit e Dhomës shprehen shqetësimin e tyre se Paketa 1 dhe 2 të ndërmarra nga qeveria kanë qënë joefektive dhe me një ndikim të papërfillshëm tek biznesi.

“Masa e financimit është shumë e ulët ndërsa pengesat burokratike i kanë bërë ato të pazbatueshme. Si rrjedhiojë, sot në kohë emergjence financimi i ekonomisë është inekzistent, ndërsa sektorë si biznesi prodhues, turizmi, bujqësia dhe transporti mbeten ende pa asnjë mbështetje”, shkruan Basha në Facebook.

Lideri demokrat e quan dështimin më të madh të Edi Ramës menaxhimin e pandemisë.

“Menaxhimi i pandemisë dhe krizës ekonomike është dështimi më i madh i Ramës. Fatkeqësisht, këto dështime po i kushtojnë shumë shtrenjt shqiptarëve dhe ekonomisë së tyre që sot po varfërohen edhe më shumë”.

Basha sjell edhe njëherë në vëmendje propozimet që bëri PD për masa konkrete në përballimin e pandemisë.

“Partia Demokratike propozoi masa konkrete mbështetëse për biznesin vendas dhe për të punësuarit e tij por Rama zgjodhi ti harxhojë lekët e buxhetit të shtetit për një grusht oligarkësh dhe jo për njerëzit. Ai është sot e keqja më e madhe për vendin”, shkruan Basha.

Ai e mbyll duke thënë se “unë dhe opozita e kemi një plan konkret për rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe rritjen e punësimit të shqiptarëve: ky është është prioriteti absolut i progranmit tonë ku përveç ndihmës financiare për të kapërcyer krizën ne do të ofrojmë edhe instrumentat dhe financimin e duhur për ekonominë prodhuese, uljen e taksave, luftën ndaj monopoleve dhe klientelizmit, si dhe mbështetjen dhe financimin e projekteve madhore ekonomike që do krijojnë punësim dhe mirëqënie për shqiptarët”. /k.k/noa.al/