Reforma zgjedhore, nuk arrihet konsensusi në prag të skadimit të afatit
Transmetuar më 31-05-2020, 00:04

Një ditë para afatit për përfundimin e Reformës Zgjedhore në Shqipëri, konsensusi ende nuk është arritur. Përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës jashtë Parlamentit, kanë diskutuar për 4 orë, por pa gjetur gjuhën e përbashkët.

Ngërçi qëndron te propozimi i opozitës për të futur identifikimin biometrik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit, por që nuk është pranuar nga mazhoranca. Marrëveshje nuk është arritur edhe për administrimin zgjedhor.

Për këtë shkak, gjuha e opozitës pas mbledhjes ishte e ashpër. “PS në strategjinë e saj ka vetëm një gjë, vjedhjen dhe marrjen e votave në tavolinë. Kjo është një vizë e kuqe që opozita nuk do të lejojë të kalohet. Pa u arritur dakordësia për propozimin tonë që bllokon mbushjen e kutive, e kjo arrihet përmes identifikimit biometrik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit, të gjitha përpjekjet e tjera nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të maskuar” tha ish deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.

“I gjithë modeli i socialistëve është vetëm legjitimimi i eksperimentit të 30 qershorit ku numëruesit dhe komisionerët e qeverisë tashmë të bëhen me ligj. Parimi i njohur stalinist që ka rëndësi vetëm të votojnë njerëzit ndërsa votat i numërojmë ne është i vetmi që e udhëheq PS-në, e cila e ka shumë të qartë që në një votim normal dhe korrekt nuk mund ti fitojë kurrë këto zgjedhje. Është kapur si i mbyturi pas një fije bari që të marrë dhe të vjedhë votat në tavolinë. Të mbushë kutitë në tavolinë, të numërojë po vetë dhe të nxjerrë rezultatin ashtu si në 30 qershor. Ajo që opozita ka vendosur pa kthim është asnjë centimetër më poshtë nga standardet që ekzistojnë” tha përfaqësuesi i LSI, Petrit Vasili.

Përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri, tha se teknologjia në zgjedhje dhe depolitizimi i administratës na ndajnë, por ai shpreson që këto të mos bëhen sebepe për të hedhur në erë reformën.

“U ra dakord që sistemi të trajtohet në fazën e dytë të reformës zgjedhore. Faza e dytë do të ketë reformimin e partive politike dhe ligjin për referendume. Janë dy propozime që na ndajnë, teknologjia në zgjedhje 100 për qind dhe reformimi i administratës zgjedhore. Përsa i përket teknologjisë, vullneti ka qenë i qartë që ta aplikojmë ashtu edhe në çështjen e votimit elektronik, por përtej dëshirës iu drejtuam zyrtarisht ODIHR që na tha se sistemi duhet aplikuar gradualisht jo më shumë se 10 %, ne po e çojmë edhe më shumë dhe zonat t’i zgjedhë PD. Le t’i drejtohemi ODIHR së bashku dhe po na ktheu përgjigje pozitive po e marrim këtë risk, por jo nesër të thotë se dështoi sistemi duke vënë në rrezik zgjedhjet. Pra kjo nuk është zgjidhur pavarësisht dëshirës. Në do adresojmë çdo gjë që është e zgjidhshme edhe e ligjshme. Edhe administrata jo politike duke ofruar kompromisin tonë duke ofruar hapjen e çdo kutie pas rezultati zgjedhor. Këtë nuk e ka pasur askush. Pranuam përfshirjen e monitorimit me kamera në çdo qendër votimi, nëse ka pretendime për shkelje votimi, kemi pranuar reduktim të financimit nga privatit. Shpresoj që këto të mos jenë sebepe për të mos e hedhur në erë këtë reformë, por duam të gjejmë rregulla zgjedhore të përbashkëta, por nuk duam të mbahemi peng”, – tha Gjiknuri.

Loading...