Transmetuar më 30-05-2020, 09:26

Viza më të lehta dhe rrugë më e lehtë për pasaportën britanike për qytetarët Hong Kong nga ana e Britanisë së Madhe. Qeveria e Boris Johnson njoftoi se: masa do të miratohet nëse Kina nuk heq dorë nga vendosja e ligjit të ri për sigurinë në ish-koloninë britanike.

Përgjigja e Pekinit ishte e menjëhershme dhe, përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, kërcënoi të miratojë “masa të domosdoshme” kundër Londrës.

Masa e mundshme britanike do të zbatohej për ata qytetarë të Hong Kongut, rreth 300 mijë, aktualisht tashmë në zotërim të dokumentit British National (Overseas) – ose Bno – një lloj pasaporte që aktualisht u lejon mbajtësve të vizitojnë Britaninë e Madhe pa vizë për periudha deri në 6 muaj, pa vënë në dyshim kombësinë ekskluzive kineze.

“Nëse Kina vazhdon në rrugën e marrë dhe zbaton këtë legjislacion të sigurisë kombëtare, ne do të heqim kufirin gjashtë mujor dhe do t’i lejojmë mbajtësit e pasaportave të Bno të kërkojnë të zgjasin periudhën e qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar deri në 12 muaj. Për punë ose qëllime studimi”, shpjegoi sekretari i shtetit Dominic Raab. Sipas tij, kjo është kohe e mjaftueshme për të filluar rrugën drejt shtetësisë së ardhshme britanike.

Ndërkohë, Kina ka paraqitur “protesta zyrtare” kundër SHBA-së, Britanisë, Kanadasë dhe Australisë, vendet që kanë nënshkruar një dokument të përbashkët dënimi për imponimin e Pekinit të ligjit të sigurisë kombëtare në Hong Kong.

“Këto kombe nuk kanë asnjë titull ose bazë ligjore për të cituar Deklaratën Sino-Britanike”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Zhao Lijian. /a.y/noa.al