“Venecia” publikon draft-opinionin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese
Transmetuar më 29-05-2020, 19:24

Komisioni i Venecias ka publikuar sot draft-opinionin për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.

Në argumentet e “Venecias”, shkruhet se rregulli i radhës aplikohet vetëm në momentin e shpalljes nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të vakancave, pas hapjes së secilit raund të emërimeve.

“Pasi të jenë shpallur vakancat për trupat përkatëse të emërimit, sekuenca nuk kërkon aktivizim deri në raundin tjetër.

Sidoqoftë, për sa kohë që mungesa e kandidatëve vazhdon dhe listat përbëhen kryesisht nga të njëjtët kandidatë, në një situatë kur ka emërime që duhen bërë, Presidenti dhe Kuvendi (dhe Gjykata e Lartë, nëse fillon të funksionojë së shpejti) duhet të bien dakord për procedurën që do të ndiqet”, shkruhet mes të tjerash në raport.

Një vëmendje të veçantë Komisioni i kushton rëndësisë së ngritjes së dy institucioneve, Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

Ndërsa për të kaluar krizën politike, sugjerohet dialog dhe bashkëpunim institucional.

Sipas Venecias, kriza kushtetuese në Shqipëri nuk është shkaktuar nga një akt specifik, por është pasojë e faktorëve të ndryshëm.

Komisioni u mblodh për këtë çështje, pas një letre të dërguar më 30 dhjetor nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, për të kërkuar një opinion për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Më pas, për të njëjtën çështje kërkoi opinion edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. /k.k/noa.al/

Loading...