Transmetuar më 29-05-2020, 12:43

Propozimi i ministrit të Brendshëm për ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, për përgjime pa autorizim nga Prokuroria konsiderohet si antikushtetues nga juristët dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Sipas tyre, miratimi i ndryshimeve të propozuara mund të lërë shteg për keqpërdorim të përgjimeve nga Policia e Shtetit.

Juristët kundërshtojnë edhe krijimin e komitetit antikrim, strukturës që sipas propozimit drejtohet nga ministri i Brendshëm dhe ka në përbërje ndër të tjerë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe kreun e SPAK, raporton ‘A2’.

Ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit u kundërshtuan të mërkurën edhe nga Prokurori i Përgjithshëm dhe SPAK, të cilët i konsideruan si shkelje të të drejtave të njeriut dhe cenim të pavarësisë së institucioneve të tyre nga qeveria.