Transmetuar më 29-05-2020, 12:07

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme antikorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, si përgjegjës për shembjen e Teatrit Kombëtar, ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Në kallëzimin e bërë kërkohet që të vendoset sekuestro mbi truallin dhe të pezullohen hetimet.

Po ashtu Aleanca kërkon arrestimin e tyre, duke i akuzuar për dy vepra penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Shpërdorim detyre”.

Gjithçka pasi pretendohet se në momentin që nisi shembja e Teatrit, në godinë ka pasur artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile brenda.

Duke folur për mediat pas kallëzimit, regjisori Robert Budina, deklaroi se SPAK duhet të kishte filluar vetë hetimin bazuar në pamjet filmike.

“Është vrasje në tentativë sepse kur shembet diçka ka një thirrje. Nuk ka pasur thirrje nga policia. Edhe sikur të mos kishte njerëz duhet të kontrollonin cep e më cep, pasi mund të ishte dikush duke fjetur gjumë”, tha ai. /a.y/noa.al