Transmetuar më 29-05-2020, 11:33

Kryedemokrati Lulzim Basha u takua paraditen e sotme me bizneset në njësinë nr.8 në Tiranë.

Kreu i opozitës thotë se gjendja në njësinë Nr. 8 në Tiranë ku qytetarë dhe biznese po përballen me një krizë të thellë ekonomike është e dhimbshme: varfëri, papunësi dhe shumë biznese që falimentojnë.

Sipas tij, qytetarët nuk kanë marrë asnjë ndihmë të premtuar nga Rama.

“Nuk ka asnjë projekt konkret për të nxjerrë nga kriza e pandemisë ekonomike biznesin e vogël. Shfaqjeve me regji të propagandës së Edi Ramës ju ka dalë boja. Situata e vështirë ekonomike, xhepat e boshatisur, tavolinat e zbrazëta dhe papunësia alarmante janë e vërteta e hidhur që nuk mund të fshihet”, thotë Basha.

Në vijim shton, se qytetarët janë në pamundësi, “Ramavirusi” i dha vetëm dje 727 mijë euro inceneratorit të Tiranës.

Basha e mbyll qëndrimin e tij duke thënë se kjo qeveri dhe ky kryeministër janë sot barra më e rëndë dhe e keqja më e madhe për qytetarët shqiptarë. /a.y/noa.al