Transmetuar më 29-05-2020, 11:05

Nga 276 testime të kryera në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 23 raste të infektimeve të reja me koronavirus, 12 prej të cilave në Tiranë.

Prej tyre, 8 janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive dhe 4 janë raste të reja në proces hetimi.

Nga hetimi i thelluar epidemiologjik në QSUT, ku janë testuar 57 personel shëndetësor dhe pacientë, dhe të gjithë kanë rezultuar negativë.

6 raste janë konfirmuar në Mat, kontakte të një paciente në QSUT dhe 4 raste në Lushnje, kontakte të rasteve pozitive të konfirmuar më herët në Tiranë dhe 1 rast i ri në Durrës.

Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 23 pacientë, nga të cilët 5 janë në terapi intensive.

Në 24 orët e fundit janë të shëruar 28 qytetarë, duke e çuar në 851 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15.500 testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1099. Prej tyre, mbi 77% janë të shëruar.

Në vendin tonë aktualisht janë 215 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 121; Durrës 42; Krujë 17; Shkodër 11; Kamëz 9; Mat 6; Lushnje 4; Berat 2; Fier 2 dhe Korçë 1.

Shefja e inteligjencës në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregohen të kujdesshëm.

“Ruani distancimin fizik mbi 1.5 metër. Kur nuk arrihet distancimi fizik përdorimi i maskës është i domosdoshëm. Ruani etiketën respiratore. Kur kolliteni apo tështini përdorni shami letre ose këndin e brrylit. Masat e higjienës personale duhet të kombinohen me larjen sa më të shpeshtë të duarve për më shumë se 20 sekonda. Evitoni ambientet e mbyllura dhe grumbullimet me shumë njerëz dhe kujdesuni për të moshuarit.

Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, deklaroi Tomini.

COVID-19- Statistika 29 Maj 2020

Testime totale 15595

Testime molekulare 14269

Testime serologjike 1326

Raste pozitive 1099

Raste të shëruara 851

Raste Aktive 215

Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)