Transmetuar më 28-05-2020, 11:45
Yuri Kim dhe ambasadori Borchardt

Teksa ditën e diel, më 31 maj, është afati i fundit i vendosur nga partitë politike për përfundimin e reformës zgjedhore, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, po zhvillon një sërë takimesh.

Paraditen e sotme, ajo ka shkuar në Kryesinë e Kuvendit, për tu takuar me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, por edhe me kryetarin e komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Në ditët e kaluara ajo është takuar edhe me Kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin, Gramoz Ruçi.

Në vijim pritet që ambasadorja të takohet me përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasilin.

Këto takime vijnë pasi në orën 17.00 të pasdites së sotme do të mblidhet Këshilli Politik për reformën zgjedhore.

Po ashtu në prag të mbledhjes ka reaguar edhe kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt.

“Përgëzoj partitë politike shqiptare për rifillimin e dialogut për reformën zgjedhore dhe për marrëveshjet e arritura deri tani në Këshillin Politik, ku është vendosur dialog mes qeverisë, opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare. Ne po ndjekim me interes të veçantë përpjekjet e partive për kompromis për çështjet të cilat OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si problematike për shumë vjet tashmë: depolitizimi i administratës zgjedhore, balanca gjinore në listat zgjedhore, ngritja e një strukture të posaçme për eliminimin e presionit ndaj administratës dhe të shpërdorimit të burimeve shtetërore, mekanizma më të fortë kundër krimit zgjedhor, kontrolli dhe transparenca e financimit të fushatës, transparenca e medias gjatë zgjedhjeve dhe dhënia fund e praktikës së të ashtuquajturave kaseta të gatshme”, thotë ambasadori.

Ai shton se, reforma zgjedhore nuk duhet të dobësojë tërësinë e reformave të tjera të rëndësishme.

Borchardt i nxit të gjitha partitë në Këshillin Politik për reformën zgjedhore që të vijojnë të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive dhe ta finalizojnë reformën zgjedhore, në të mirë të Shqipërisë dhe të aspiratave të saj për integrim.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i do të vijojnë të ofrojnë mbështetje për përmbylljen e kësaj reforme të rëndësishme sa më shpejt, idealisht brenda 31 majit, sikurse janë zotuar partitë politike. Po ashtu, ne do të vijojmë të mbështesim dialogun për teknologjitë e reja të votimit dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor”, deklaron ambasadori i OSBE në mbyllje të deklaratës. /a.y/noa.al