Transmetuar më 28-05-2020, 11:30

Në 24 orët e fundit u konfirmuan të infektuar me koronavirus, 26 raste të reja, që të gjitha në Tiranë.

Me këto shifra zgjerohet harta e të infektuarve në kryeqytet, ku Tirana vazhdon të jetë vatra kryesore në vend me një numër të lartë të rasteve ditore të konfirmuara pozitive me Covid-19.

Nga hetimi i thelluar epidemiologjik, janë testuar 73 personel shëndetësor, nga të cilët 12 kanë rezultuar pozitivë, në QSUT, të gjithë pa simptoma.

Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të rastit të identifikuar tre ditë më parë.

Nderkohë vijon hetimi i thelluar epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë.

Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.

Në 24 orët e fundit janë të shëruar 11 qytetarë, duke e çuar në 823 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 122; Durrës 51; Krujë 17; Shkodër 12; Kamëz 9; Berat 6; Fier 2 dhe Korçë 1. /a.y/noa.al