Transmetuar më 28-05-2020, 11:20

Kryeministri Edi Rama është thirrur në interpelancë në seancën e sotme parlamentare, lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar nga opozita.

Deputetja Rudina Hajdari në fjalën e saj, deklaroi se Teatri duhej diku tjetër dhe ajo aty.

“Ne duhet ta kishim ruajtur si monument kulturor. Por ju ja keni marrë shpirtin këtij vendi dhe këtij qyteti. Ju keni patur një obsesion jo vetëm më këtë teatër, por me atë truall. Po të kishte qenë ai tetar diku tjetër do ta linit. Por që e doni atë truall në mes të Tiranës e shembët Teatarin”, tha Hajdari në Parlament.

Në përgjigje Kryeministri Edi Rama deklaroi se i ka mbaruar fjalët për Teatrin.

Kreu i qeverisë shtoi se në krye të asaj proteste nuk ishin dy Budina, por Robert Ndrenika dhe Arben Derhemi.

“Mos më kryqëzoni kam qenë dhe jam për një Teatër të ri dhe bashkohor që ka për detyrë ta bëj shteti, paratë t’i marrë ku të dojë. Me protestuesit e vërtetë është zhvilluar dialog, trupi i artistëve vendosën se duhet të ishin në dialog, të mos preket trualli dhe të shpallej një konkurs për teatrin. Më thoni një teatër në Ballkan që është në këtë gjendje”, tha Rama.

Më tej ai lexoi mesazhin e një demokrati në Facebook:

“Fitoi Edvini dhe na thatë na e futi Amerika, prandaj s’ka më llafe, zgjedhje o butra revoltë popullore. Ikët nga parlamenti po na ikën të gjithë bashkitë, po populli nuk u duk gjëkundi se u tretën dhe ato të bashkive që dilnin në proteste. Na thanë o burra hajde te unaza e re, u ngrysëm me muaj dhe e vetmja fitore qe një natë erdhi nga Vlora, i ra nga Elbasani…Aty mbeti vetëm libri i çunit të Fariut për Unazën, pas doli që lepuri na flinte te Teatri, Iku te Teatri dhe na doli që Luli e kishte hallin te Reforma Zgjedhore”.