“Duan apo s’duan…”, Rama: Hapen nga nesër aplikimet për financim në bujqësi
Transmetuar më 28-05-2020, 07:58

Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të enjte, duke dhënë një lajm të mirë për bujqësinë.

Me anë të një video ai njofton se nga e premtja e 29 majit, nisin aplikimet për financim nga skema kombëtare për gjithë fermerët.

“Duan s’duan ata që kurrë nuk do duan të shohin e të pranojnë ndryshimet reale, sot në bujqësi ndryshimi real po ndodh dhe falë edhe rritjes së aftësisë thithëse të fondeve të Bashkimit Europian, ku këtë vit jemi në vendin e parë për financime në mbështetje të projekteve të fermerëve, janë plot investime të reja në proces, në një shumë të përgjithshme për mbështetjes së bujqësisë pakrahasimisht më të lartë se më parë”, shkruan Rama.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë shton se skemat kombëtare të mbështetjes me fondet e buxhetit të shtetit, janë harmonizuar me skemat e programit të Bashkimit Europian dhe adresojnë nevoja specifike që nuk mbulohen nga financimet europiane.

“Jo vetëm kaq, po procesi i aplikimeve nga fermerët është kthyer nga një torturë letrash, ecejakesh, pritjesh e rryshfetesh, në një proces fare të thjeshtë pa lëvizur nga shtëpia apo nga fshati, ku përmes smartfonit apo kompjuterit më të afërt, në pak minuta aplikimi i shkon AZHBR-së dhe miratimi bëhet në transparencë të plotë. Nesër hapen aplikimet për financim nga skema kombëtare dhe duke ju uruar sukses aplikantëve, uroj të keni të gjithë një ditë të mbarë”, njofton Kryeministri. /a.y/noa.al

Loading...