Renato Mekolli: Shqipëria nuk bëhet, këtu s’jetohet më. Do iki të jetoj dhe punoj në SHBA
Transmetuar më 27-05-2020, 21:52

Një ditë pas një statusi ku shprehej i indinjuar për masat kufizuese të marra nga qeveria, kuzhinieri i bërë i famshëm për emisionin e tij në Top Channel, Renato Mekolli, tregon se ka në plan të largohet nga Shqipëria.

Koha e pandemisë dhe mungesa e mbështetjes nga shteti, sipas tij, e kanë shtyrë Renaton të mendojë për të vijuar biznesin e tij jashtë vendit, jo në Greqi, por në SHBA.

“Jemi në një situatë tragjike. Restorantet prej 3 muajsh nuk kanë punë. Ndihmë nga shteti nuk ka aspak, është një situatë kaosi.

Vërtetë ne kemi një orar deri në orën 21:00, por atëherë dalin të gjithë njerëzit dhe janë të qetë për të shijuar ndonjë darkë.

Po falimentojnë bizneset, jashtë kanë mbështet nga shteti këtu nuk ka asnjë lloj mbështetje. Kjo është qesharake.

Në një kohë normale në kuzhinën time duhet të ishin 15 veta, tani janë 7 persona. Këtu çalon gjithçka se asnjëri nuk ka besim, ka dhe interesa personale dhe të gjithë nuk bëhen bashkë.

Kjo situatë të bën që të dalësh nga vetja dhe të thuash se ky vend nuk është për të jetuar. Shikoj që nuk kam mbështetje nga shteti dhe njerëzit që na drejtojnë, situata është absurde.

Do të largohem nga Shqipëria dhe ia kam vënë syrin Los Angeles. Dëshira ime është që të jap pasionin dhe dëshirën time dhe të ndjej që ajo që jap të më kthehet”, tha Mekolli në një intervistë për Euronews Albania.

Loading...