Transmetuar më 27-05-2020, 10:49

Konfirmohen 21 të infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit. Specialistja e ministrisë së Shëndetësisë, Flutura Beqo deklaroi se në 24 orët e fundit vazhdon të jetë i lartë numri i rasteve të reja të prekur me Sars-Cov2 në Tiranë, ndërsa të gjithë zonat e tjera rezultojnë pa raste të reja.

Janë testuar 262 qytetarë të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar 21 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.

Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit.

Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa 4 pacientë jane transferuar në spitalin infektiv.

Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend.

Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.

Ne 24 orët e fundit janë të shëruar 9 qytetarë, duke e çuar mbi 800 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Deri tani janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1050. Prej tyre aktualisht janë 205 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 101; Durrës 51; Krujë 23; Shkodër 12; Kamëz 9; Berat 6; Fier 2; dhe Korçë 1

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo rast të dyshuar, telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika 27 Maj 2020

Testime totale 15094

Testime molekulare 13768

Testime serologjike 1326

Raste pozitive 1050

Raste të shëruara 812

Raste Aktive 205

Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)