Transmetuar më 25-05-2020, 11:03

Kalon mbi 1 mijë numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri, qysh nga nisja e epidemisë dhe më konkretisht 1004.

Shefja e inteligjencës në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, deklaroi se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 6 raste të reja infektimesh, 4 në Tiranë dhe 2 në Shkodër, kontakte të rasteve të mëparshme.

Po 6 është edhe numri i të prekurve është edhe numri i të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14500 testime molekulare dhe serologjike. Në vendin tonë aktualisht janë 177 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 59; Durrës 53; Krujë 27; Shkodër 12; Berat 10; Kamëz 9; Fier 4; Elbasan 1; Mirditë 1 dhe Korçë 1.

Nga fillimi i epidemisë rreth 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar.

32 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me Covid-19, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienen vetjake. Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë shenjat e Covid19 si kollë, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje. Nëse keni këto shenja telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, tha Tomini.

Ajo shtoi se mbështetur në strategjinë e lehtësimit të masave mbi kriteret e rasteve të shtruara në spital, rasteve që kërkojnë trajtim në terapi intensive, rasteve të humbjeve të jetës, situata ka qenë e qëndrueshme, përkundrejt 14 ditëve të vlerësimit të saj.

Kurba epidemike në Shqipëri ka qenë e butë dhe e qëndrueshme. Hetimi i thelluar epidemiologjik ka treguar luhatje ditore të rasteve në dy javët e fundit.

COVID-19 – Statistika 25 Maj 2020

Testime totale  14659

Testime molekulare  13333

Testime aerologjike  1326

Raste pozitive  1004

Raste të shëruara  795

Raste Aktive  177

Humbje jete  32 (Qarku Tiranë 19, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)