Transmetuar më 23-05-2020, 09:54

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu drejton një mesazh për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe festën e Fitër Bajramit, i cili kremtohet të dielën.

Spahiu thotë se muaji që lamë pas ka rizgjuar ndjenja dhe virtyte të larta duke na ndriçuar ndërgjegjen dhe lartësuar shpirtin.

“Nesër është Fitër Bajrami dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen, gëzuar e për shumë vjet. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë bajrami në familjet tuaja! Fitër Bajrami është kurorëzimi i muajit të Ramazanit, është ftesa e shpalosjes së vlerave të fituara në këtë muaj, është shpërblimi i sakrificës, është afrimi më shumë me Zotin. Bajrami është ditë shprese, gëzimi dhe solidarizimi, është dita e manifestimit të vlerave dhe virtyteve që Ramazani i ka rizgjuar tek njeriu, është dita e falënderimeve dhe dita e dashurisë. Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta, iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar”, shprehet kreu i KMSH.

Ai falenderon në mënyrë të veçantë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, që punuan me përkushtim për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të prekur nga pandemia.

Spahiu lutet që Allahu t’ua pranojë agjërimin, adhurimet dhe lutjet që janë bërë gjatë këtij muaji të bekuar.

Ai fton që gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj familjes, fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë dhe se është koha që edhe njëherë të reflektojmë fort mbi vlerat e vërteta të familjes, ta mbrojmë atë nga çdo antivlerë që i kanoset asaj dhe të jemi shembull i familjes me virtytet e saj të patjetërsueshme.

“Le të shërbejë kjo festë për të larguar brengat, mëritë dhe hatërmbetjet. Të mbjellim virtytet e dashurisë, mirësisë, vëllazërisë dhe miqësisë. Të flasim me gjuhën e shpirtit, të ndërtojmë ura mirëkuptimi. Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit! Ti lutemi Allahut që kjo festë të jetë një sihariq për të larguar sëmundjet dhe fatkeqësitë. Gëzuar Fitër Bajramin!”, thotë në mbyllje Bujar Spahiu. /a.y/noa.al