Transmetuar më 22-05-2020, 21:15

Shkencëtarët njoftuan sot se një studim i realizuar mbi hidroksiklorokinën të cilën Presidenti Trump deklaroi se ka disa javë që ë përdor çdo ditë, është një ilaç vrasës për trupin e njeriut.

Studimi i botuar në revistën mjekësore "Lancet", thotë se hidroksiklorokina, një ilaç për trajtimin e malaries, të cilën presidenti amerikan Donald Trump po e përdor për t’u mbrojtur nga COVID-19, rrit rrezikun e vdekjes së pacientëve me koronavirus.

Studimi vëzhgoi mbi 96 mijë pacientë të shtruar në spital me COVID-19. Sikurse raportoi sot VOA, ky studim tregoi se ata që trajtoheshin me ilaçin, apo me klorokinën, një ilaç i lidhur ngushtë me të, kishin rrezik më të lartë vdekjeje krahasuar me ata që nuk e kishin marrë këtë ilaç.

Kërkesa për hidroksiklorokinë, një ilaç i miratuar dekada më parë për malarjen, u rrit pasi Presidenti Trump reklamoi përdorimin e tij për trajtimin e koronavirusit, në fillim të muajit prill. Për më tepër, në fillim të kësaj jave, z.Trump bëri një deklaratë befasuese kur tha se po e merrte vetë ilaçin me qëllimin për të parandaluar infektimin nga COVID-19.

Autorët e studimit të botuar në revistën "Lancet" sugjeruan që ilaçi të mos përdoret për të trajtuar pacientët me COVID-19 përveçse në rastet kur ata janë pjesë të provave klinike dhe kjo duhet të vazhdojë sipas tyre, derisa të ketë rezultate në dispozicion që konfirmojnë sigurinë dhe efikasitetin e këtyre ilaçeve për pacientët me COVID-19. Shkencëtarët thanë se ata nuk mund ta konfirmojnë nëse marrja e ilaçit sjell ndonjë përfitim për pacientët me koronavirus.

Javë më parë z. Trump e reklamoi ilaçin si një trajtim të mundshëm bazuar në të dhëna pozitive në lidhje me përdorimin e tij kundër virusit, por studime pasuese dolën në përfundimin se ilaçi nuk ishte i dobishëm. Në muajin prill administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave lëshoi një paralajmërim rreth rrezikut që paraqet përdorimi i hidroksiklorokinës.